Të dashur anëtarë dhe banorë të nderuar të fshatit Dumosh,
Ju përcjellim përshëndetjet tona më të sinqerta dhe një thirrje të rëndësishme për të ardhmen e përbashkët të fshatit tonë. Shoqata Humanitare “Dumoshi” ju njofton se nga data 1 janar fillon pagesa e anëtarësisë, e cila është në vlerë prej 100 euro, 100 franga zvicerane apo 100 dollarë amerikanë.
Siç e dimë të gjithë, për të ecur përpara dhe për të realizuar projektet që i kemi nisur me përkushtim, është e domosdoshme mbështetja e çdo banori, kudo që ai ndodhet. Kontributi juaj është shtylla kryesore që mundëson zhvillimin dhe mirëqenien e vendlindjes sonë.
Me ardhjen e pranverës, planifikojmë të vazhdojmë punimet në hapësirat ku kemi punuar gjatë muajit nëntor, duke realizuar projekte të rëndësishme për komunitetin tonë. Ne besojmë fuqishëm se, me një pjesëmarrje të gjerë të të gjithë qytetarëve të Dumoshit, mund të arrijmë rezultate edhe më të mëdha.
Secila familje në fshatin tonë ka të paktën një anëtar në diasporë, ndaj ju bëjmë thirrje që të bashkohemi përtej çdo dallimi apo mospajtimi, duke vënë në plan të parë interesin e përbashkët dhe të ardhmen e Dumoshit tonë të dashur.
Ju lutemi që të na ndihmoni duke na dërguar adresat dhe informacionet e të gjithë dumoshlive, kudo që ata ndodhen, në mënyrë që të mund të qëndrojmë të lidhur dhe të koordinuar në çdo hap.
Kryesia e Shoqatës Humanitare “Dumoshi” ju falënderon përzemërsisht për mbështetjen tuaj të vazhdueshme dhe për shpirtin e solidaritetit që gjithmonë e keni treguar.
Me respekt,
Arkëtar: Ragip Podvorica
Sekretar: Mehdi Podvorica
Kryetar: Tefik Bajrami (Visoka)
Le të bashkohemi për një Dumosh më të mirë!

